Më 05.05.2023, në restorant “Floar” në prani të qytetarëve Komuna e Bogovinës realizoi me sukses sesionin e Forumit të katërt në bashkësi, forume të cilat organizohen në kuadër të projektit “Fuqizimi i këshillave komunal – Faza 2”, të financuar nga Ambasada Zvicerane dhe Ministria për vetëqeverisje lokale dhe të kofinancuar nga UNDP dhe kanë për qëllim përfshirjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në nivel komunal.

Në sesionin e Forumit të katërt moderatori sërish prezantoi rregullat dhe kriteret për zgjedhjen e projektit që do të financohet në kuadër të forumit në bashkësi, si dhe u analizua se cilët prej qytetarëve kanë të drejtë vote në bazë të evidencës së pjesëmarrjes së tyre. Më pas, nga qytetarët u votuan tre propozim – projektet: “Rregullimi i shtratit të lumit në vendbanimin Pirok”, “Ndërtimi i trotuarit në vendbanimin Pirok” dhe “Ndërtimi i rrugës që e lidh vendbanimin Rakovec me vendbanimin Bogovinë”. Prej këtyre tre projekteve, më i votuari nga qytetarët e Komunës së Bogovinës ishte “Rregullimi i shtratit të lumit në vendbanimin Pirok”.

Kryetari i Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen e tyre të rëndësishme për implementim të suksesshëm të forumeve si dhe për kontributin e dhënë gjatë propozimeve të projekteve të shumta, të cilat janë shumë të nevojshme që të realizohen në Komunën e Bogovinës. Të gjitha këto do t’i shërbejnë Komunës në planifikimin e aktiviteteve dhe zhvillimin e projekteve të ardhshme.

#FuqizimiIKëshillaveKomunal #QytetarëtNëVendTëParë #CHinMK #SDGs