Kryetari i Komunës prezanton raportin e punës para qytetarëve

Më 26.12.2019, në sallën e Këshillit Komunal në vendbanimin Kamjan u mbajt takimi i kryetarit z. Albon Xhemaili me qytetarët e Komunës së Bogovinës, ku ai prezantoi raportin e punës për vitin 2019.

Qytetarët patën rastin të informohen më detajisht në lidhje me projektet e realizuara gjatë këtij viti, duke filluar nga projektet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, investime nga më të ndryshme në shkollat fillore të Komunës së Bogovinës, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës, adaptimin e çerdhes, përmirësimin e shërbimeve komunale të NPK “Sharri”, krijimin e hapësirave të reja administrative, ndriçimin publik në të gjitha vendbanimet, projektin për ujësjellësin e vendbanimit Pirok, pastrimin e deponisë së egër në Kamjan etj. Investimi në vitin 2019 ka shkuar në vlerën e mbi 2 milionë euro investime. Kryetari i Komunës përpara të pranishmëve premtoi që do të ketë edhe investime të reja, si dhe në vitin 2020 pritet që të kalojnë shifrën e investimeve që u kryen këtë vit.

Propozim buxheti për vitin 2020 u prezantua nga Besir Miftari, me pritshmëri për përmirësimin e kushteve të objekteve administrative, ndihmë NPK “Sharri” për pajisje me makineri pune, rregullimin e sistemeve për ujë për pije, vazhdimin e punimeve të Shtëpisë së Kulturës, përpilimin e dokumentacioneve teknike dhe rikonstruimin e rrugëve lokale.

Këshilli Rinor i Komunës së Bogovinës

Më 23.12.2019, në prani të kryetarit të Komunës së Bogovinës u promovua Këshilli Rinor, që njëkohësisht do të jetë zëri i të rinjve në Komunën tonë për përmirësimin e situatës apo problemeve të ndryshme të tyre.

Këshilli Rinor është formuar nga Qendra për edukim dhe zhvillim – CED në bashkëpunim me Komunën e Bogovinës si dhe Forumin Rinor Arsimor (Shkup).

Aparate për pastrimin e ajrit në shkollën fillore në Bogovinë

Në shkollën fillore “Abdyl Frashëri” – Bogovinë, kryetari i Komunës së Bogovinës shpërndau aparate filtruese për pastrimin e ajrit.

Komuna planifikon që të vazhdojë me angazhimin për përmirësimin e kushteve për nxënësit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre dhe në këtë mënyrë do të vazhdojë edhe me aktivitete tjera për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Inaugurimi i rrugës Çiflik – Kallnik

Sot, në praninë e kryetarit të Komunës së Bogovinës u inaugurua rruga Çiflik – Kallnik. Kjo rrugë me gjatësi 497 m dhe gjerësi 5 m, do të bëjë lidhjen e dy vendbanimeve dhe do të mundësojë qarkullim më efikas për qytetarët.

Ndërtimi i kësaj rruge është një ndër projektet kyçe për ngritjen e infrastrukturës rrugore në nivel komunal dhe ka vlerë të përgjithshme 3.039.258,00 denarë.

Projekti “T’a gjelbërojmë Komunën tonë”

Më 07.12.2019, Komuna e Bogovinës filloi me implementimin e projektit “T’a gjelbërojmë Komunën tonë”, i cili ka për qëllim kryesor mbjelljen e drunjve dekorativ dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbëruara.

Mbjellja e drunjve do të realizohet përgjatë rrugës regjionale Pirok – Kallnik (rruga 402).