Më 12.01.2024, në restorant “Floar” në prani të qytetarëve Komuna e Bogovinës realizoi me sukses sesionin e Forumit të pestë në bashkësi, forume të cilat organizohen në kuadër të projektit “Fuqizimi i këshillave komunal – Faza 2”, të financuar nga Ambasada Zvicerane dhe Ministria për vetëqeverisje lokale dhe të kofinancuar nga UNDP dhe kanë për qëllim përfshirjen e qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në nivel komunal.
Në sesionin e pestë të forumit u bë prezantimi i projektit prioritar, gjegjësisht u dhanë informacione lidhur me implementimin e projektit “Rregullimi i shtratit të lumit në vendbanimin Pirok” i cili u realizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i këshillave komunal – Faza 2”.
Kryetari i Komunës së Bogovinës, Besnik Emshiu falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen e tyre të rëndësishme për implementim të suksesshëm të forumeve si dhe për kontributin e dhënë gjatë propozimeve të projekteve të shumta, të cilat janë shumë të nevojshme që të realizohen në Komunën e Bogovinës. Të gjitha këto do t’i shërbejnë Komunës në planifikimin e aktiviteteve dhe zhvillimin e projekteve të ardhshme.
#FuqizimiIKëshillaveKomunal #QytetarëtNëVendTëParë #CHinMK #SDGs
Komuna e Bogovinës realizoi me sukses aktivitetin “Ligjeratë edukative – informuese për pasojat nga dhuna në familje” në shkollat fillore komunale “Abdyl Frashëri”- Bogovinë, “Sabedin Bajrami” – Kamjan, “Dervish Cara” – Pallçisht i Poshtëm dhe “Dervish Cara” – Kallnik.
Ky aktivitet u realizua në bazë të Programit për mundësi të barabarta të burrave dhe grave për vitin 2023 të Komunës së Bogovinës.
Realizues të aktivitetit janë kryetarja e Komisionit për mundësi të barabarta Mirjeta Sinani dhe psikologet Shpresa Qamili dhe Edona Aliti.
Kryetari i Komunës së Bogovinës, z. Besnik Emshiu ishte në takim pune me zëvendës ministrin e transportit dhe lidhjeve, z. Bekim Rexhepi me të cilin biseduan mbi rekonstruimin e rrugës lokale nga Bogovina drejt Novosellës dhe Urviçit si dhe ndërtimin e rrugës nga Bogovina në drejtim të Sedllarcës.
Projekti i parë është me financim të Qeverisë, derisa projekti tjetër financohet nga Banka Botërore, e me këtë rast Komuna shfrytëzon mundësinë për t’i falenderuar për bashkëpunimin.
Komuna e Bogovinës realizoi me sukses aktivitetin “Ligjeratë edukative për ngritjen e vetëdijes së nxënësve për bullizmin” në shkollat fillore komunale “Abdyl Frashëri”- Bogovinë, “Sabedin Bajrami” – Kamjan, “Dervish Cara” – Pallçisht i Poshtëm dhe “Liria” – Zherovjan.
Ky aktivitet u realizua në bazë të Programit për mundësi të barabarta të burrave dhe grave për vitin 2023 të Komunës së Bogovinës.
Më 21.09.2023, kryetari i Komunës së Bogovinës bashkë me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale z. Risto Penov dhe drejtorin e Byrosë për Zhvillim Rajonal z. Ramiz Rexhepi, morën pjesë në inspektimin e punimeve që po bëhen në projektin e ndërtimit të rrugës nga fshati Pallçisht i Poshtëm deri tek autostrada Tetovë – Gostivar, projekt ky që do të lidh vendbanimet e Komunës së Bogovinës me projektin e rëndësishëm Korridori 8.
Komuna falënderon me këtë rast Qeverinë dhe gjithë institucionet të cilat janë përfshirë në finalizimin e këtij projekti infrastrukturor që do të lehtësojë jetën e qytetarëve të mbarë rajonit të Pollogut.
Kryetari i Komunës së Bogovinës priti sot në vizitë zv. Ministrin e arsimit dhe shkencës z. Agim Nuhiu, ku në protokoll ishte mbikqyrja e disa punimeve që janë realizuar në shkollën fillore “Liria”, në f. Zherovjan.
Ata falënderuan për mikpritjen të gjithë nxënësit e shkollës dhe arsimtarët, të cilët ishin të kënaqur nga kushtet të cilat i ka ofruar Ministria e arsimit dhe shkencës në bashkëpunim me Komunën e Bogovinës.
Drejtoresha rajonale e UNDP-së znj. Ivana Zivkovic, së bashku me Ambasadorin e UNDP-së në Maqedoninë e Veriut z. Armen Gregorian, më 14.06.2023 zhvilluan takim koordinativ në Komunën e Bogovinës në lidhje me projektet e ardhshme sa i përket mbrojtjes së erozionit të tokës dhe vërshimeve.
Në takim ishin prezent kryetarët e komunave të rajonit të Pollogut dhe u diskutua për projektet e ardhshme në lidhje me mbrojtjen dhe parandalimin e këtyre problemeve të vazhdueshme sa ju përket vërshimeve në rajonin më të gjërë të Pollogut, gjegjësisht u diskutua për projektet që do të zbatohen në kuadër të projektit “Përmirësimi i rezistencës në rajonin e Pollogut” dhe projektet tjera që implementohen përmes UNDP.