Kryetari i komunës vizitoi fshatin Novo Sellë

Më 03.09.2018, në vendbanimin Novo Sellë, kryetari i komunës z. Albon Xhemaili vizitoi nxënësit dhe prindërit e këtij vendbanimi, të cilët kishin dalë në shenjë proteste për shkak të mungesës së objektit të shkollës fillore, i cili u shkatërrua nga zjarri vitin e kaluar. Prezent ishte edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Arbër Ademi i cili para banorëve theksoi se përgjegjës për ndërtimin e objektit të shkollës fillore në Novo Sellë është Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe pranoi se të gjitha dokumentacionet e kërkuara nga ana e komunës janë dorëzuar. Ai theksoi se ndërtimi i objektit do të fillojë së shpejti, por nuk përcaktoi saktësisht periudhën kur kjo do të ndodhë.
Potencojmë se Komuna e Bogovinës do të vazhdojë të kujdeset për mirëmbajtjen e ambienteve ekzistuese për mësim deri në realizimin e ndërtimit të shkollës fillore në Novo Sellë.

Qendra për informim

Fillimi i vitit shkollor

Me rastin e fillimit të vitit shkollor 2018/2019, kryetari i Komunës së Bogovinës vizitoi disa prej shkollave fillore të kësaj komune, ku ai u dëshiroi nxënësve dhe stafit mësimor një vit të mbarë në procesin edukativo-arsimor.

MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS URGJENTISHT TË FILLOJË SHKOLLËN FILLORE NË NOVO SELLË

Të nderuar nxënës, sot për ju fillon viti i ri shkollor. Ju uroj që ta filloni sa më mbarë dhe t’i përkushtoheni mësimit dhe edukimit tuaj. Për dallim nga vendbanimet tjera të komunës tonë, për fat të keq bashkëmoshatarët tuaj nga vendbanimi Novo Sellë, nuk do mund të vijojnë mësimin në ambientet e shkollës, por edhe këtë fillim viti shkollor do e nisin në objekte private. Komuna e Bogovinës ka siguruar mjete për mirëmbajtje që edhe këta nxënës të kenë kushtet për të mësuar, por jemi të vetëdijshëm se as për së afërmi nuk u afrohen kushteve të një shkolle normale. Ju njoftojmë se Komuna e Bogovinës i ka plotësuar të gjitha kërkesat nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i ka dorëzuar që më datë 17.11.2017. Pas kësaj u njoftuam se ndërtimi i shkollës së Novosellës është paraparë për ndërtim në buxhetin e vitit 2018. Por, siç edhe vetë konstatoni kjo nuk ndodhi. Edhe njëherë kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që sa më shpejtë të fillojë me ndërtimin e shkollës në Novo Sellë, me qëllim që nxënësit të kenë mundësi që mësimin ta vijojnë në kushte normale. Ky nuk është reagimi i parë nga ana jonë ku kërkojmë nga kjo Ministri që këtë problem ta merr më se seriozisht, sepse këtu flasim për fëmijët tonë, fëmijët shqiptar të cilët meritojnë të jenë të trajtuar më së miri. Ne si komunë do të vazhdojmë të ndihmojmë proçesin arsimor në Novo Sellë, por kaq janë mundësitë dhe kompetencat tona. Ju kujtojmë se kompetencat për ndërtimin e objekteve arsimore i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Kryetari i Komunës së Bogovinës
Albon Xhemaili
2.09.2018