Filluan punimet e rrugës në fshatin Kamjan

Komuna e Bogovinës në bashkëpunim me banorët e fshatit Kamjan filloi punimet e rrugës së a.q. “Hoxhë Sead Ajruli” (1200 m2).
Komuna do të vazhdojë të investojë në ngritjen e infrastrukturës rrugore edhe në vendbanimet tjera si dhe të realizojë projektet me të cilat do t’ua lehtësojnë jetën banorëve.

Hapja e rrugës në fshatin Çiflik

Komuna e Bogovinës sot filloi me punë hapjen e rrugës në fshatin Çiflik, që do të mundësojë lidhjen dhe qarkullimin me fshatin Kallnik. Ky do të jetë intervenim i fazës së parë, pastaj do të bëhen parallogaritë e fazave tjera, me qëllim të ngritjes së kushteve për jetesë në këtë vendbanim.
Me këtë intervenim realizohet një kërkesë e hershme e këtij vendbanimi dhe e premtuar nga kryetari Albon Xhemaili.

Z. Albon Xhemaili mori pjesë në promovimin e granteve lokale dhe rajonale

Kryetari i komunës, z. Albon Xhemaili mori pjesë në promovimin e granteve lokale dhe rajonale, të cilat do të realizohen në kuadër të projektit “Avancimi i qeverisjes komunale” që do të implementohen nga ana e UNDP-së dhe do të financohen nga Delegacioni i Bashkimit Europian.
Në kuadër të këtij projekti Komuna e Bogovinës së pari do të përgatit plan të integruar inkluziv dhe më pas do të bëhet edhe realizimi i një nga projekteve të parapara në plan, i cili do të jetë më i nevojshëm (prioritar).

Shënohen vizëbardha në Bogovinë dhe Kamjan

Shenjat e komunikacionit janë shumë të rëndësishme për çdo vendbanim, sidomos vizëbardhat që paraqesin vendkalim të sigurt të këmbësorëve, andaj komuna ka ndërmarrur masa në lidhje me shënimin e vizëbardhave në vendbanimet Bogovinë dhe Kamjan.
Aksioni për shënimin e vijave të sinjalizimit rrugor do të vijojë edhe në vendbanimet tjera, me qëllim të rregullimit të përgjithshëm të komunikacionit rrugor.

 

Komuna e Bogovinës përkrah moralisht dhe materialisht kampionin në atletikë në Republikën e Maqedonisë Adrian Ismaili

Komuna e Bogovinës përkrah moralisht dhe materialisht sportin dhe kulturën dhe kësaj rradhe ka vendosur që t’i ndihmojë në mënyrë financiare fituesit të vendit të parë në atletikë në nivel republikan, Adrian Ismaili nga vendbanimi Kamjan, për pjesëmarrje në Kampionatin Evropian në atletikë që do të mbahet në Rietti të Italisë më 6-7 tetor të këtij viti.

Komuna e Bogovinës vazhdon me projektet që do të lehtësojnë jetën e banorëve

Komuna e Bogovinës nën udhëheqjen e kryetarit, z. Albon Xhemaili, vazhdon me projektet që do të lehtësojnë jetën e banorëve. Sot filluam me rregullimin e rrugës prej te varrezat deri te Rruga e Luginës. Kjo rrugë do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve dhe do të lehtësojë qarkullimin e Rrugës së Luginës. Gjithashtu, do të zbukurojë nga pamja estetike këtë lagje. Falënderojmë banorët e kësaj lagjeje për bashkëpunimin si dhe shpresojmë dhe besojmë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe për projekte të tjera.
Të nderuar qytetarë, ne jemi këtu për t’iu shërbyer juve, andaj ju ftojmë që bashkarisht të bëjmë komunën tonë më të mirë dhe më të bukur.

Z. Albon Xhemaili realizoi takim pune në lidhje me zhvillimin e ekosistemit afarist

Kryetari i Komunës së Bogovinës, z. Albon Xhemaili realizoi takim pune me drejtoreshën e projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit afarist, znj. Mirjana Makedonska dhe drejtorin e Odës ekonomike të Maqedonisë-Veriperëndimore, z. Drilon Iseni. Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi në lidhje me aktivitetet konkrete të projektit të cilat do të implementohen në vijim.

Projekti do të punojë me shoqatat e biznesit, dhomat e tregtisë, institucionet financiare, qendrat e trajnimit, firmat që kërkojnë të zhvillojnë zinxhirët e tyre të vlerave dhe organizata të tjera që ofrojnë shërbime mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Gjithashtu, do të punojë me institucionet financiare për të mundësuar rritjen e financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Projekti do të përpiqet të përmirësojë shërbimet e biznesit në dispozicion të NVM-ve, si dhe mundësitë e financimit.

Aktiviteti i parë që do të realizohet do të jetë B2B takime (takim direkt kompani me kompani) të NVM-ve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria me qëllim të vënies së kontakteve ndërmjet kompanive të cilat do të realizojnë bashkëpunimet e tyre të ardhshme në veprimtaritë që ata punojnë.