Kryetari i komunës vizitoi fshatin Novo Sellë

Më 03.09.2018, në vendbanimin Novo Sellë, kryetari i komunës z. Albon Xhemaili vizitoi nxënësit dhe prindërit e këtij vendbanimi, të cilët kishin dalë në shenjë proteste për shkak të mungesës së objektit të shkollës fillore, i cili u shkatërrua nga zjarri vitin e kaluar. Prezent ishte edhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Arbër Ademi i cili para banorëve theksoi se përgjegjës për ndërtimin e objektit të shkollës fillore në Novo Sellë është Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe pranoi se të gjitha dokumentacionet e kërkuara nga ana e komunës janë dorëzuar. Ai theksoi se ndërtimi i objektit do të fillojë së shpejti, por nuk përcaktoi saktësisht periudhën kur kjo do të ndodhë.
Potencojmë se Komuna e Bogovinës do të vazhdojë të kujdeset për mirëmbajtjen e ambienteve ekzistuese për mësim deri në realizimin e ndërtimit të shkollës fillore në Novo Sellë.

Qendra për informim

Fillimi i vitit shkollor

Me rastin e fillimit të vitit shkollor 2018/2019, kryetari i Komunës së Bogovinës vizitoi disa prej shkollave fillore të kësaj komune, ku ai u dëshiroi nxënësve dhe stafit mësimor një vit të mbarë në procesin edukativo-arsimor.

MINISTRIA E ARSIMIT DHE SHKENCËS URGJENTISHT TË FILLOJË SHKOLLËN FILLORE NË NOVO SELLË

Të nderuar nxënës, sot për ju fillon viti i ri shkollor. Ju uroj që ta filloni sa më mbarë dhe t’i përkushtoheni mësimit dhe edukimit tuaj. Për dallim nga vendbanimet tjera të komunës tonë, për fat të keq bashkëmoshatarët tuaj nga vendbanimi Novo Sellë, nuk do mund të vijojnë mësimin në ambientet e shkollës, por edhe këtë fillim viti shkollor do e nisin në objekte private. Komuna e Bogovinës ka siguruar mjete për mirëmbajtje që edhe këta nxënës të kenë kushtet për të mësuar, por jemi të vetëdijshëm se as për së afërmi nuk u afrohen kushteve të një shkolle normale. Ju njoftojmë se Komuna e Bogovinës i ka plotësuar të gjitha kërkesat nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i ka dorëzuar që më datë 17.11.2017. Pas kësaj u njoftuam se ndërtimi i shkollës së Novosellës është paraparë për ndërtim në buxhetin e vitit 2018. Por, siç edhe vetë konstatoni kjo nuk ndodhi. Edhe njëherë kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që sa më shpejtë të fillojë me ndërtimin e shkollës në Novo Sellë, me qëllim që nxënësit të kenë mundësi që mësimin ta vijojnë në kushte normale. Ky nuk është reagimi i parë nga ana jonë ku kërkojmë nga kjo Ministri që këtë problem ta merr më se seriozisht, sepse këtu flasim për fëmijët tonë, fëmijët shqiptar të cilët meritojnë të jenë të trajtuar më së miri. Ne si komunë do të vazhdojmë të ndihmojmë proçesin arsimor në Novo Sellë, por kaq janë mundësitë dhe kompetencat tona. Ju kujtojmë se kompetencat për ndërtimin e objekteve arsimore i takojnë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Kryetari i Komunës së Bogovinës
Albon Xhemaili
2.09.2018

Projekti “Komuna e Bogovinës Feston”

Të nderuar banorë të Komunës së Bogovinës, ky vit ishte viti i parë në të cilin Komuna e Bogovinës me përkrahje të kryetarit të komunës, z. Albon Xhemaili, filloi me projektin “Komuna e Bogovinës Feston”, i cili u dedikohet të gjithë qytetarëve të Komunës së Bogovinës, ndërkaq periudha kohore në të cilën zhvillohen evenimentet përket edhe me ardhjen e mërgimtarëve tonë. Me anë të muzikës, sportit, filmit dhe artit vizuel, kemi tentuar që këto ditë verore t’i bëjmë më interesante për të gjithë.

Filluam me organizimin e përcjelljes së përbashkët të Kampionatit Botëror në futboll “Rusia 2018”, ku përcollëm dy mbrëmje gjysëmfinale dhe finalen. Në ndeshjen e parë gjysëmfinale më 10 korrik (Francë vs Belgjikë) patëm nderin që në mesin tonë të jetë edhe futbollisti i mirënjohur nga Bogovina, Blerim Xhemaili, të cilit në emër të Komunës së Bogovinës dhe kryetarit Albon Xhemaili iu dorëzua mirënjohje për kontributin e veçantë në afirmimin e sportit shqiptar në botë. Ndërkaq më 11 korrik, përcollëm edhe ndeshjen e dytë gjysëmfinale në mes Kroacisë dhe Anglisë. Finalen në mes Francës dhe Kroacisë e përcollëm më 15 korrik në sallën e këshillit komunal në vendbanimin Bogovinë.

Vazhduam me ekspozitën e pikturave të realizuara nga piktorët pjesëmarrës të Kolonisë Artistike të organizuar nga Galeria e Arteve- Tetovë, në të cilën morën pjesë piktorë nga Ukraina, Turqia, Novi Pazari, Shqipëria dhe piktorë vendas. Me 19 korrik, banorët e Komunës së Bogovinës, patën mundësi t’i shikojnë këto punime të artistëve te parku në qendër të vendbanimit Bogovinë.

Kampingu i titulluar “Dukati i Novo Sellës” i organizuar më 21- 22 korrik nga shoqata e bjeshkatarëve “Bukuritë e Sharrit”, me përkrahje të SH.B. “Sytë e Sharrit”, ndërkaq nën patronazhin e Komunës së Bogovinës, ishte aktiviteti i rradhës i  projektit “Komuna e Bogovinës Feston”. Në këtë eveniment sportiv- rekreativ morën pjesë mbi 200 pjesëmarrës dashamirë të kampingut dhe natyrës.

Koncerti i muzikës moderne i mbajtur më 23 korrik, ishte i pari i këtij lloji i organizuar në Komunën e Bogovinës që nga themelimi i saj. Në këtë mbrëmje argëtuese në skenë u ngjitën emra eminent të kësaj rryme muzikore, XXL Band dhe Elita Ziberi, DJ Eliot dhe Samba, Snow Black si dhe aktori dhe moderatori i njohur tetovar Burhan Amiti me Stand Up komedi.

Më 24 korrik organizuam mbrëmjen e filmave të shkurt. Autor të filmave që janë edhe nga Komuna e Bogovinës, si prof. Senad Abduli dhe z. Agim Abdulla, prezentuan nga dy filma të shkurt nga opusi i tyre filmik, gjithashtu prezentuam edhe filmin e regjisorit dhe producentit z. Arsim Fazliu. Prof. Senad Abduli u prezentua me filmat “Koha e bukur për të vdekur” dhe “Aida”, regjisori z. Agim Abdulla u prezentua me filmat “Bisedë për jetën” dhe “Fillimi”, ndërkaq z. Arsim Fazliu u prezentua me filmin “Varrmihësi”. Pjesëmarrja në këtë eveniment dëshmoi edhe nevojën e një kinemaje në komunën tonë, sidomos për gjeneratat e reja të cilët u njoftuan ndoshta për herë të parë me këtë mënyrë të shikimit të filmave.

Pallçishti ishte vendbanimi nikoqir i evenimentit të fundit të projektit “Komuna e Bogovinës Feston”, ku më 1 Gusht në stadiumin e futbollit të vogël u realizua “Koncerti i Muzikës Popullore”, në të cilin me pjesëmarrjen e tyre na nderuan kori i grave ”Teuta”- Tetovë, artisti i madh i këngës popullore dhe qytetare, maestro Jetmir Rexhepi, dy rapsodë të mrekullueshëm dhe mjeshtër të qiftelisë, z. Kadri Selmani dhe z. Arif Luma, ndërkaq nxënësit e sh.f. “Dervish Cara” recituan disa poezi gurbeti.

Viti 2018 ishte viti i parë në të cilin Komuna e Bogovinës organizoi projektin “Komuna e Bogovinës Feston”, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Bogovinës, z. Albon Xhemaili. Besojmë se vitin e ardhshëm do të kemi programin edhe më të pasur.

Në fund dëshirojmë që të falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan dhe përkrahën realizimin e këtij projekti: prof. Senad Abduli, z. Jeton Pustina, z. Jetmir Rexhepi, znjsh. Arbenita Meta, znjsh. Shpresa Hashimi, z. Afrim Ziberi, z. Basit Xhaferi si dhe të gjithë artistëve pjesëmarrës në këtë projekt. Falënderim i veçantë për Arbëria Design për bashkëpunimin e mrekullueshëm. Gjithashtu, falënderojmë edhe sponsorët e këtij projekti: shoqata e mërgimtarëve – Pallçishti, Euro Beton, Frigo Tehnnika 2000, Ekoflor, Floar, Mujo Kompani, Frigo Plus, Restorant Haybori.

Nga:
Organizatori i projektit “Komuna e Bogovinës Feston”,
z. Elmir Sejfullai

Aktiviteti i parë i projektit “Komuna e Bogovinës Feston”

Mbrëmë, në Komunën e Bogovinës filloi projekti kushtuar mërgimtarëve dhe banorëve të Bogovinës i titulluar “Komuna e Bogovinës Feston”.
Aktiviteti i parë i këtij projekti ishte shikimi i përbashkët i ndeshjes gjysëmfinale të Kampionatit Botëror në mes Francës dhe Belgjikës në vendbanimin Bogovinë, në të cilën prezent ishte edhe simboli i futbollit Blerim Xhemaili, të cilit në emër të Komunës së Bogovinës dhe kryetarit të saj, Albon Xhemaili iu nda mirënjohje për kontributin e dhënë në afirmimin e sportit në botë, nga ana e organizatorit të projektit, z. Elmir Sejfullai.
Projekti “Komuna e Bogovinës Feston”, do të vazhdojë me evenimente të tjera kulturore dhe sportive gjatë periudhës verore, për të cilat do të jeni të informuar në kohë.

 

Garat komunale në volejboll dhe futboll

Në Komunën e Bogovinës u organizuan garat komunale në volejboll dhe futboll, në të cilat u shpërndanë mirënjohje për arsimtarët e edukatës fizike dhe për nxënësit.
Volejboll:
Vendi i parë: sh.f. “Abdyl Frashëri”, Bogovinë.
Vendi i dytë: sh.f. “Liria”, Zherovjan.
Vendi i tretë: sh.f. “Dervish Cara”, Pallçisht.
Futboll:
Vendi i parë: sh.f. “Sabedin Bajrami”, Kamjan.
Vendi i dytë: sh.f. “Sami Frashëri”, Pirok.
Vendi i tretë: sh.f. “Dervish Cara”, Pallçisht.

Seanca e 5-të e këshillit

Sot, në objektin e Komunës së Bogovinës me lokacion në Kamjan u mbajt seanca e 5-të e këshillit të Komunës së Bogovinës. Seanca u hap nga kryesuesja e këshillit, e cila propozoi disa pika të rendit të ditës në mes të cilave edhe raporti për kuartalin e I-rë të buxhetit të komunës për vitin 2018, plan zgjerimi për buxhetin e komunës, si dhe propozim-mendim në lidhje me ekskurzionet e shkollave fillore.

Gjithashtu, në seancë ishte i pranishëm dhe drejtori i NPK “Sharri”, në lidhje me pikat që ishin të parapara në seancë për realizimin e planit të 2017 dhe planprogramit për 2018. Kjo temë nxiti debat pozitiv për zgjidhje të problematikës së mbeturinave dhe ujit për pije, ku vetë drejtori i ndërmarrjes potencoi që problemi me mbeturinat ishte rajonal dhe se po punohet për zgjjdhje afatgjate të kësaj problematike, kurse për ujin për pije ekzistojnë mjete, ku fillimisht do të ndërhyhet në fshatrat me problem më të madh të ujit, por që nuk nënkupton që fshatrat tjerë do të anashkalohen.

Në adresë të këshillit të Komunës së Bogovinës ishin pranuar dy kërkesa, të cilat u aprovuan. Njëra ishte për ndihmë të një banori nga fshati Sedllarcë, gjegjësisht lirim i pagesës së tatimit për legalizim të objektit dhe tjetra që dedikohej për ndihmë financiare për hapjen e një shoqate në Komunën e Bogovinës për personat me nevoja të veçanta.