Kryetari i Komunës së Bogovinës, z. Albon Xhemaili realizoi takim pune me drejtoreshën e projektit të USAID-it për zhvillimin e ekosistemit afarist, znj. Mirjana Makedonska dhe drejtorin e Odës ekonomike të Maqedonisë-Veriperëndimore, z. Drilon Iseni. Qëllimi i këtij takimi ishte njoftimi në lidhje me aktivitetet konkrete të projektit të cilat do të implementohen në vijim.
Projekti do të punojë me shoqatat e biznesit, dhomat e tregtisë, institucionet financiare, qendrat e trajnimit, firmat që kërkojnë të zhvillojnë zinxhirët e tyre të vlerave dhe organizata të tjera që ofrojnë shërbime mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM). Gjithashtu, do të punojë me institucionet financiare për të mundësuar rritjen e financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Projekti do të përpiqet të përmirësojë shërbimet e biznesit në dispozicion të NVM-ve, si dhe mundësitë e financimit.
Aktiviteti i parë që do të realizohet do të jetë B2B takime (takim direkt kompani me kompani) të NVM-ve nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria me qëllim të vënies së kontakteve ndërmjet kompanive të cilat do të realizojnë bashkëpunimet e tyre të ardhshme në veprimtaritë që ata punojnë.