Sot, në objektin e Komunës së Bogovinës me lokacion në Kamjan u mbajt seanca e 5-të e këshillit të Komunës së Bogovinës. Seanca u hap nga kryesuesja e këshillit, e cila propozoi disa pika të rendit të ditës në mes të cilave edhe raporti për kuartalin e I-rë të buxhetit të komunës për vitin 2018, plan zgjerimi për buxhetin e komunës, si dhe propozim-mendim në lidhje me ekskurzionet e shkollave fillore.
Gjithashtu, në seancë ishte i pranishëm dhe drejtori i NPK “Sharri”, në lidhje me pikat që ishin të parapara në seancë për realizimin e planit të 2017 dhe planprogramit për 2018. Kjo temë nxiti debat pozitiv për zgjidhje të problematikës së mbeturinave dhe ujit për pije, ku vetë drejtori i ndërmarrjes potencoi që problemi me mbeturinat ishte rajonal dhe se po punohet për zgjjdhje afatgjate të kësaj problematike, kurse për ujin për pije ekzistojnë mjete, ku fillimisht do të ndërhyhet në fshatrat me problem më të madh të ujit, por që nuk nënkupton që fshatrat tjerë do të anashkalohen.
Në adresë të këshillit të Komunës së Bogovinës ishin pranuar dy kërkesa, të cilat u aprovuan. Njëra ishte për ndihmë të një banori nga fshati Sedllarcë, gjegjësisht lirim i pagesës së tatimit për legalizim të objektit dhe tjetra që dedikohej për ndihmë financiare për hapjen e një shoqate në Komunën e Bogovinës për personat me nevoja të veçanta.