Më 26.12.2019, në sallën e Këshillit Komunal në vendbanimin Kamjan u mbajt takimi i kryetarit z. Albon Xhemaili me qytetarët e Komunës së Bogovinës, ku ai prezantoi raportin e punës për vitin 2019.
Qytetarët patën rastin të informohen më detajisht në lidhje me projektet e realizuara gjatë këtij viti, duke filluar nga projektet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, investime nga më të ndryshme në shkollat fillore të Komunës së Bogovinës, ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës, adaptimin e çerdhes, përmirësimin e shërbimeve komunale të NPK “Sharri”, krijimin e hapësirave të reja administrative, ndriçimin publik në të gjitha vendbanimet, projektin për ujësjellësin e vendbanimit Pirok, pastrimin e deponisë së egër në Kamjan etj. Investimi në vitin 2019 ka shkuar në vlerën e mbi 2 milionë euro investime. Kryetari i Komunës përpara të pranishmëve premtoi që do të ketë edhe investime të reja, si dhe në vitin 2020 pritet që të kalojnë shifrën e investimeve që u kryen këtë vit.
Propozim buxheti për vitin 2020 u prezantua nga Besir Miftari, me pritshmëri për përmirësimin e kushteve të objekteve administrative, ndihmë NPK “Sharri” për pajisje me makineri pune, rregullimin e sistemeve për ujë për pije, vazhdimin e punimeve të Shtëpisë së Kulturës, përpilimin e dokumentacioneve teknike dhe rikonstruimin e rrugëve lokale.