Ministri për Vetëqeverisje Lokale, Suhejl Fazliu sot priti në kabinetin e tij kryetarin e Komunës së Bogovinës, z. Albon Xhemaili me të cilin biseduan për aktivitetet aktuale në këtë komunë, planet zhvillimore, zgjidhja e problemeve infrastrukturore dhe mundësitë për shfrytëzimin e fondeve shtetërore të dedikuara për komunat dhe fondet nga Bashkësia Evropiane.
Ministri Fazliu u shpreh i gatshëm për të mbështetur iniciativat nga Komuna e Bogovinës, duke theksuar nga njëra anë mundësitë e kufizuara të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe nga ana tjetër mundësitë e shumta që ofrojnë fondet nga buxheti i shtetit dhe fondet e BE- së.
Gjatë takimit, kryetari z. Xhemaili falënderoi ministrin Fazliu për mundësinë e financimit të projekteve të Komunës së Bogovinës. Projektet që do të financohen nga rajonet planore janë: prokurimi i makinerive për mirëmbajtjen e pastërtisë publike, si dhe projekti për ndërtimin dhe përmirësimi i kanalizimit fekal në rajonin e Pollogut.
Poashtu, si projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, i cili implementohet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe UNDP është prokurimi i kontejnerëve të mbeturinave për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave komunale, që do t’i ofrojnë komunës përmirësim të higjienës dhe mjedisit.
Ministri Fazliu ju bëri thirrje që të shfrytëzohet mundësia që të aplikohet me projekt tek thirrja e cila është aktualisht e hapur me programën e bashkëpunimit ndërkufitar, mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, si dhe mundësi të tjera do të kenë edhe me thirrjen e cila do te jetë në muajt në vijim mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë.
Në fund të takimit, ministri Fazliu tha se Ministria për Vetëqeverisje Lokale është e hapur për bashkëpunim me të gjitha kapacitetet që disponon për bashkëpunim të frytshëm në interes të qytetarëve.