Projekti “Komuna e Bogovinës Feston”

Të nderuar banorë të Komunës së Bogovinës, ky vit ishte viti i parë në të cilin Komuna e Bogovinës me përkrahje të kryetarit të komunës, z. Albon Xhemaili, filloi me projektin “Komuna e Bogovinës Feston”, i cili u dedikohet të gjithë qytetarëve të Komunës së Bogovinës, ndërkaq periudha kohore në të cilën zhvillohen evenimentet përket edhe me ardhjen e mërgimtarëve tonë. Me anë të muzikës, sportit, filmit dhe artit vizuel, kemi tentuar që këto ditë verore t’i bëjmë më interesante për të gjithë.

Filluam me organizimin e përcjelljes së përbashkët të Kampionatit Botëror në futboll “Rusia 2018”, ku përcollëm dy mbrëmje gjysëmfinale dhe finalen. Në ndeshjen e parë gjysëmfinale më 10 korrik (Francë vs Belgjikë) patëm nderin që në mesin tonë të jetë edhe futbollisti i mirënjohur nga Bogovina, Blerim Xhemaili, të cilit në emër të Komunës së Bogovinës dhe kryetarit Albon Xhemaili iu dorëzua mirënjohje për kontributin e veçantë në afirmimin e sportit shqiptar në botë. Ndërkaq më 11 korrik, përcollëm edhe ndeshjen e dytë gjysëmfinale në mes Kroacisë dhe Anglisë. Finalen në mes Francës dhe Kroacisë e përcollëm më 15 korrik në sallën e këshillit komunal në vendbanimin Bogovinë.

Vazhduam me ekspozitën e pikturave të realizuara nga piktorët pjesëmarrës të Kolonisë Artistike të organizuar nga Galeria e Arteve- Tetovë, në të cilën morën pjesë piktorë nga Ukraina, Turqia, Novi Pazari, Shqipëria dhe piktorë vendas. Me 19 korrik, banorët e Komunës së Bogovinës, patën mundësi t’i shikojnë këto punime të artistëve te parku në qendër të vendbanimit Bogovinë.

Kampingu i titulluar “Dukati i Novo Sellës” i organizuar më 21- 22 korrik nga shoqata e bjeshkatarëve “Bukuritë e Sharrit”, me përkrahje të SH.B. “Sytë e Sharrit”, ndërkaq nën patronazhin e Komunës së Bogovinës, ishte aktiviteti i rradhës i  projektit “Komuna e Bogovinës Feston”. Në këtë eveniment sportiv- rekreativ morën pjesë mbi 200 pjesëmarrës dashamirë të kampingut dhe natyrës.

Koncerti i muzikës moderne i mbajtur më 23 korrik, ishte i pari i këtij lloji i organizuar në Komunën e Bogovinës që nga themelimi i saj. Në këtë mbrëmje argëtuese në skenë u ngjitën emra eminent të kësaj rryme muzikore, XXL Band dhe Elita Ziberi, DJ Eliot dhe Samba, Snow Black si dhe aktori dhe moderatori i njohur tetovar Burhan Amiti me Stand Up komedi.

Më 24 korrik organizuam mbrëmjen e filmave të shkurt. Autor të filmave që janë edhe nga Komuna e Bogovinës, si prof. Senad Abduli dhe z. Agim Abdulla, prezentuan nga dy filma të shkurt nga opusi i tyre filmik, gjithashtu prezentuam edhe filmin e regjisorit dhe producentit z. Arsim Fazliu. Prof. Senad Abduli u prezentua me filmat “Koha e bukur për të vdekur” dhe “Aida”, regjisori z. Agim Abdulla u prezentua me filmat “Bisedë për jetën” dhe “Fillimi”, ndërkaq z. Arsim Fazliu u prezentua me filmin “Varrmihësi”. Pjesëmarrja në këtë eveniment dëshmoi edhe nevojën e një kinemaje në komunën tonë, sidomos për gjeneratat e reja të cilët u njoftuan ndoshta për herë të parë me këtë mënyrë të shikimit të filmave.

Pallçishti ishte vendbanimi nikoqir i evenimentit të fundit të projektit “Komuna e Bogovinës Feston”, ku më 1 Gusht në stadiumin e futbollit të vogël u realizua “Koncerti i Muzikës Popullore”, në të cilin me pjesëmarrjen e tyre na nderuan kori i grave ”Teuta”- Tetovë, artisti i madh i këngës popullore dhe qytetare, maestro Jetmir Rexhepi, dy rapsodë të mrekullueshëm dhe mjeshtër të qiftelisë, z. Kadri Selmani dhe z. Arif Luma, ndërkaq nxënësit e sh.f. “Dervish Cara” recituan disa poezi gurbeti.

Viti 2018 ishte viti i parë në të cilin Komuna e Bogovinës organizoi projektin “Komuna e Bogovinës Feston”, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Bogovinës, z. Albon Xhemaili. Besojmë se vitin e ardhshëm do të kemi programin edhe më të pasur.

Në fund dëshirojmë që të falënderojmë të gjithë ata që ndihmuan dhe përkrahën realizimin e këtij projekti: prof. Senad Abduli, z. Jeton Pustina, z. Jetmir Rexhepi, znjsh. Arbenita Meta, znjsh. Shpresa Hashimi, z. Afrim Ziberi, z. Basit Xhaferi si dhe të gjithë artistëve pjesëmarrës në këtë projekt. Falënderim i veçantë për Arbëria Design për bashkëpunimin e mrekullueshëm. Gjithashtu, falënderojmë edhe sponsorët e këtij projekti: shoqata e mërgimtarëve – Pallçishti, Euro Beton, Frigo Tehnnika 2000, Ekoflor, Floar, Mujo Kompani, Frigo Plus, Restorant Haybori.

Nga:
Organizatori i projektit “Komuna e Bogovinës Feston”,
z. Elmir Sejfullai